Imazheria

Ekografia konsiderohet si një nga metodat diagnostikuese më të besueshme në praktikën mjekësore.Avantazhet më të mëdha të ekografisë janë:është e sigurt,e shpejtë,nuk është invazive dhe ka kosto të ulët .Ajo që është më e rëndësishme është se nuk ka rrezatim gjatë ekzaminimit fakt që lejon të realizohet disa herë dhe te gratë shtatzënë apo fëmijët e vegjël. Aktualisht, pajisjet e gjeneratës së fundit gjenerojnë imazhe me cilësi të lartë dhe si pasojë është i mundur diagnostikimi i shumë patologjive. Ekzaminimet ekografike kryhen nga mjekë Radiologë të kualifikuar. Stafi i mjekëve radiologë të kualifikuar dhe me shumë eksperiencë i këtij Departamenti ofron shërbim 24 orë në ditë në çdo ditë të vitit duke mbuluar të gjithë spektrin e ekzaminimeve radiologjike.

Aparatura

Departamenti i ekografisë në Spitalin Hygeia është i pajisur me tre aparatura ekografie.

  • 1 GENERAL ELECTRIC LOGIC E9 high-definition devices
  • 1 GENERAL ELECTRIC LOGIC E7 device
  • 1 ACUSON NX2 SIEMENS ultrasound device

 

Llojet e Ekografive

  • Ekografia abdominale

Ky test përfshin vlerësimin e heparit(mëlçisë), pankreasit, kolecistës(tëmthit), reneve(veshkat) dhe lienit(shpretka).Në ekografinë abdominale vlerësohet gjithashtu edhe aorta, hapësira paraaortale dhe llozhat e glandulave surenale(gjendrat mbiveshkore). Mund të përdoret për të ndihmuar në diagnozën e kushteve të tilla si dhimbja e barkut, gurët e tëmthit ose gurët e veshkave, lezione të mundshme në organet e lartpërmendura, aneurizëm aorte etj. Ekzaminimi kërkon përgatitje shumë të thjeshtë.

  • Ekografia pelvike(abdomen i poshtëm)

Gjatë këtij ekzaminimi te gratë vlerësohen uterusi(mitra), vezoret dhe vezika urinare(fshikëza e urinës).Mund të përdoret për të ndihmuar në diagnozën e kushteve të tilla si dhimbje pelvike, metrorragji dhe çrregullime mestruale.Te burrat ekzaminimi përfshin vlerësimin e vezikës urinare(fshikëza e urinës), vezikulave seminale dhe prostatës. Gjatë ekzaminimit mund të vlerësohet edhe urina reziduale pas urinimit. Ky test përdoret gjerësisht për të vlerësuar prostatën te burrat dhe veçanërisht hipertrofinë beninje të prostates që është gjetje shumë e shpeshtë te burrat mbi 50 vjeç. Nëse pacienti ka dhimbje në kuadrantin e poshtëm të djathtë të barkut ekografia mund të na ndihmojë në vlerësimin e apendixit, mund të përdoret gjithashtu dhe për të diagnostikuar me lehtësi inflamacionet e zorrëve siç është divertikuliti akut. Ekzaminimi kërkon përgatitje të thjeshtë.

  • Ekografia transrektale

Ky ekzaminim synon të zbulojë të dhëna për malinjitet apo inflamacione të prostatës. Është ekzaminim që kërkon përgatitje të veçantë prandaj pacienti duhet të flasë më parë me mjekun. Ekografia transrektale mund të përdoret për të kryer biopsi të prostatës në ata pacient ku ka një dyshim të fortë për malinjancë të prostatës.

  • Ekografia e glandulës tiroide

Është ekzaminim që përdoret për të vlerësuar glandulën thyroide veçanërisht në ata persona që vuajnë nga hypothyroidismi apo hyperthiroidismi. Përdoret shpesh për të zbuluar nodulet e thyroides dhe për të bërë vlerësimin e tyre(morfologjinë, ndryshimin në madhësi, vaskularizimin). Ky ekzaminim nuk kërkon përgatitje paparaprake.

  • Ekografia e qafës

Përveç vlerësimit të tiroides, ky test vlerëson gjithashtu edhe gjendrat e pështymës (parotide dhe submandibular), si dhe nyjet limfatike të zmadhuara dhe lezione të dukshme në indet e buta të qafës.

  • Ekografia e gjirit

Përdoret kryesisht për të vleresuar lezionet të gjirit të palpueshme(të prekshme nga gruaja ose mjeku) si dhe gjetjet e dyshuara nga mamografia. Edhe pse një mamografi është metoda kryesore e përdorur për të parandaluar kancerin e gjirit, në disa raste mund të mos jetë në gjendje ta zbulojë atë. Kjo ndodh tek gratë me gjinj të dendur (p.sh. gratë në moshë të re ku indi gjendror predominon mbi indin adipoz) Në këto raste, një ekografi mund të përdoret si një metodë plotësuese për një mamografi. Përveç kësaj, mund të përdoret në kontekstin e kontrollit për gratë e reja. Asnjë përgatitje nuk kërkohet para ekzaminimit por gratë preferohen të jenë larg ditëve të fundit të ciklit menstrual sepse në këto ditë gjinjtë janë më pak të ndjeshëm dhe ekzaminimi kryhet me lehtësi.

  • Ekografia scrotale

Ky test ka të bëjë me vlerësimin e testikujve dhe epididymis. Në mënyrë tipike, mund të përdoret për të vlerësuar një masë të mundshme në testikul, një inflamacion(si në epididymis) dhe varikocelë të mundshme(një shkak i zakonshëm i infertilitetit mashkullor). Ekografia jep informacion të mirë edhe në rastet e torsionit te testikulit (përdredhje e tetikulit ). Nuk kërkohet asnjë lloj përgatitje para ekzaminimit.

  • Ekografia e sistemit muskulo-skeletal

Këto ekografi kryhen kryesisht tek pacientët që ankohen për dhimbje, mosfunksionim ose prani të lezioneve në indet dhe nyjet e tyre të buta. është metoda e parë për të vlerësuar praninë e likit të lirë në artikulacionet scapulo-humeral, cubiti, gju, talo-crural. Ekografia jep informacion edhe për inflamacionet e tendineve(tendinitis) apo bursave(bursitis).

  • Ekografia doppler e sistemit arterial dhe venoz

Këto ekzaminime shqyrtojnë arteriet e qafës (karotide dhe vertebrale), aortën e barkut, arteriet iliake dhe venat, si dhe arteriet dhe venat e gjymtyrëve të sipërme dhe të poshtme. Gjatë viteve të fundit, metoda përdoret gjithnjë e më shumë për vlerësimin e enëve të organeve të brendshme(arteriet renale, vena porta dhe arteria hepatike). Përdorimi i Doppler me ngjyra ndihmon në përcaktimin e saktë të shtrirjes së stenozës(ngushticës), si dhe prania e një aneurizme në një arterie. Gjithashtu mund të zbulojë me saktësi trombozën venoze në rast të edemës së poshtme të gjymtyrëve.

  • Biopsitë e organeve nën guidë ekografike

Guida ekografike mund të përdoret për biopsi të organeve, kur teknikat e tjera nuk mund të aplikohen. Biopsi me ultratinguj mund të kryhet për organe të tilla si gjiri, tiroide dhe prostata. Aktualisht, biopsia nën guidën ekografike konsiderohet si një nga metodat diagnostike më të besueshme. Është një ekzaminim invaziv që kërkon parapërgatitje.

Departamenti i Imazherisë së Spitalit Hygeia është i pajisur me Mamografinë dixhitale MAMMOMAT INSPIRATION SIEMENS

Mamografia Digitale lejon ruajtjen e imazheve dixhitale dhe përpunimin e tyre. Imazhet dixhitale janë të ruajtura në mënyrë elektronike (sistemi PACS) dhe rezultatet janë në dispozicion në çdo kohe për krahasim.

Mamografia është ekzaminim që përdor rrezatimin X për të marrë imazhet e gjirit. Ekzaminimi këshillohet të kryhet tek grate mbi 40 vjeç si metoda e parë për screening. Në raste të veçanta mund të kryhet edhe tek burrat. Ekzaminimi zgjat përgjithesisht 15-20 minuta.

Krahasuar me mamografine analogë mamografia digitale ka rrezatim më të ulet, imazhi është më cilësor, ka mundësi për përpunim dhe ruajtje të imazheve. Është ekzaminim i shpejtë dhe me kosto të ulët.

Mamografia këshillohet të realizohet si metoda e parë e testimit te gratë mbi moshën 40 vjec. Këshillohet të realizohet edhe në raste të veçanta kur gruaja prek një nodul(kokërr), kur ka dhimbje, kur ndryshon ngjyra e lëkurës, kur ka ndryshime në madhësine apo formën e gjirit, kur ka tërheqje brenda të thithit, histori familjare të kancerit të gjirit.

Para ekzaminimit gruaja nuk duhet të përdore deordorantë ,duhet të jetë larg ditëve të fundit të ciklit menstrual dhe të marrë me vete ekzaminimet e kryera me parë.

Shërbimi i Skanerit dhe Rezonancës Magnetike (MRI) në spitalin Hygeia është i pajisur me aparatura bashkëkohore mjekësore. Ky department funksionon 24 orë në ditë në 365 ditë të vitit dhe stafi i mjekëve të këtij Departamenti janë mjekë dhe teknikë të kualifikuar dhe me eksperiencë të gjerë në fushën e shërbimeve imazherike.

Ekzaminimet skanerike.

Në Spitalin Hygeia realizohen ekzaminime skanerike për të gjitha pjesët e trupit, dhe përkatësisht:

• CT (skaner) koke; qafë; toraks; abdomen superior dhe inferior; kockat dhe indet e buta.

• CT e kokës dhe angiografi e të gjithë trupit.

Ky është një ekzaminim i cili vlerëson të gjithë enët e gjakut të trupit si psh arteriet e trurit, aortën abdominale dhe torakale, si dhe degët tyre. Ekzaminimi realizohet si gjithë CT – të e tjera. Gjatë këtij ekzaminimi është i domosdoshme administrimi i kontrastit. Ky është një ekzaminim i sigurtë,pa dhimbje dhe zgjat vetëm disa sekonda (10-20 sek). Imazhet më pas përpunohen dhe interpretohen nga mjeku radiolog. Për studimin e patologjive vazale si aneurizma apo stenoza CT angiography ka zëvëndësuar angiografinë konvencionale.

• Proçedura intervencionuese nën skaner (diagnostike dhe terapeutike).

Përpara se të prenotoni çfarëdo lloj ekzaminimi skanerik ju lutem të keni parasysh:

Ekzaminimi skanerik (CT) është një ekzaminim që përdor rrezet X. Në rast shtatëzënie të njohur ose të mundshme, jeni të lutur të lajmëroni personelin përgjegjës. Rekomandohet të vini 20 min përpara orarit të prenotuar, kjo në mënyrë që të realizoni të gjithë proçedurat administrative të kërkuara. Nëse keni prenotuar të kryeni skaner të abdomenit rekomandohet të vini 1 orë përpara në mënyrë që të merrni kontrastin oral.

Në momentin që do të paraqiteni për të kryer ekzaminimin përkatës duhet të keni me vete ekzaminimet e mëparshme (CT/MRI) (nëse keni të tilla), të cilat i duhen mjekut radiolog për të bërë krahasim me ekzaminimin aktual. Nëse këto ekzaminime janë realizuar pranë spitalit Hygeia, ato janë të disponueshme dhe të ruajtura në arkivën digitale të spitalit. Në pjesën më të madhe të ekzaminimeve do ju administrohet një kontrast i joduar I/V, I cili shërben për të përforcuar imazhin sidomos të vazave dhe organeve të brendshme. Nëse keni histori alergjie nga kontrasti I/V (psh gjatë një ekzaminimi të mëparshëm) ose histori të çfarëdo lloj alergjie, ju duhet të njoftoni personalin përgjegjës në mënyrë që të merrni një premedikim anti-alergjik.

Nëse jeni mbi moshën 70 vjeç do ju kërkohet të sillni me vete rezultatet e analizave të Azot / Kreati-t, të dy muajve të fundit. Kjo vlen edhe nëse ju jeni diabetik ose më parë keni patur probleme renale.Nëse jeni duke marrë metforminë (për trajtimin e diabetit) ju lutemi lajmëroni personelin përgjegjës.

Ekzaminimet MRI (Rezonancë Magnetike).

Studimi me Rezonancë magnetike bazohet në vetitë magnetike të protoneve, kur këto ndodhen në fushën e fortë magnetike. Përpara se të realizoni një MRI është shumë e rëndësishme të përjashtohet prezenca e pjesëve metalike që mund të ketë pacienti në trup ose pajisjeve mjekësore(si psh pacemaker), pasi kjo përbën rrezikshmëri për jetën e pacientit. Individët klaustrofobikë ose ata të cilët nuk bashkëpunojnë (pra nuk mund të rrinë pa lëvizur), mund ta realizojnë ekzaminimin nën sedacion të lehtë. Sedacioni i lehtë realizohet nga mjeku anestezisti pas një planifikimi të përshtatshëm të bërë prej mjekut.

Për disa lloje MRI është e nevojshme administrimi i një kontrasti specifik (paramagnetië). Administrimi i këtij kontrasti është në përgjithësi i sigurt dhe efektet anësore të tij janë shumë të rralla. Gjithsesi masa specifike nevojiten të merren në rastet e grave shtatëzëna dhe në laktacion, si dhe pacientëve me dëmtim të thelluar renal.

Llojet e MRI që realizohen në Spitalin tonë:

• Kokë

• Gjendra hipofizës

• Kockës petroze

• Οrbitave

• Sinuseve Paranasale

• Qafës (për indet e buta).

• Kolonën Cervikale ; Torakale dhe Lumbo –Sakrale .

• Abdomeni superior dhe hapësirë Retroperitoneale

• Abdomen inferior (pelvis)

• MRCP (Magnetic resonance kolangiopancreatography).

• MRI e kockave dhe indeve te buta.

• MRI e artikulacioneve (temporomandibular, scapula-humeral, brryl, kyç dore, dorë, baçin, gjuri, këmbë dhe kycit të këmbës).

MRI jep një ndihmesë të veçantë në vlerësimin e patologjive specifike përsa i përket sistemit nervoz dhe muskulo-skeletal. MRI ofron informacion të detajuar anatomik të indeve normale dhe atyre patologjike. Përcaktimi i hartës së indeve të shëndosha nga ato patologjike është mjaft i rëndësishëm për planin preoperator të trajtimit dhe rivlerësimin e rezultateve post- trajtimit.

Për arsye të mungesës së rrezatimit jonizues, MRI është i përshtatshëm për pacientët në moshë të re, veçanërisht në rastet kur kërkohet riekzaminim i vazhdueshëm. MRI mund të përdoret në mënyrë të sigurt në rastet e pacientëve ku një skaner me kontrast venoz është jo i sigurtë për shkak të reaksioneve allergjike ose në rastet me dëmtim renal. Kontrastet e përdorur në MRI janë jo nefrotoksike(me përjashtim të gadoliniumit), ndërkohë që reaksionet alergjike janë shumë të rralla.

Radiologjia Diagnostike

Shërbimi i Radiologjisë Diagnostike është i pajisur me dy aparate grafie digitale; një aparat digital mamografie si dhe një aparat digital panoramik për nofullat, radiografi dentale si dhe cephalometri..

Te gjitha radiografitë digitale janë të ruajtura në sistemin PACS dhe janë të disponueshme për mjekët në çdo kohë për t’i interpretuar dhe krahasuar me ekzaminimet e mëparshme. Pacientët e jashtëm marrin filma të printuar si dhe raportin përkatës të lëshuar nga mjeku radiolog. Pacientëve ju jepet gjithashtu edhe nje CD me imazhet digitale të ekzaminimit të tyre.

Në shërbimin e Radiologjisë Diagnostike të Spitalit Hygeia realizohet e gjithë gama e ekzaminimeve konvencionale radiologjike dhe mamografike dhe përkatësisht:

• Grafi për çdo pjesë të trupit (mushkëri, abdomen, kokë, gjymtyrë dhe kolonë).

• Të gjitha llojet e ekzaminimeve për traktin gastro-intenstinal dhe uro-genital me përdorim të kontrastit medium. Në mënyrë më specifike kjo përfshin ekzaminimin e ezofagut, stomakut, duodenum, zorrës së hollë dhe zorrës së trashë, vlerësimin e traktit biliar, urografi intravenoze dhe pielografi retrograde si dhe uretrocistografi, fistulografi dhe histerosalpingografi.

• Panoramex për dhëmbët

• Mammografi Digitale

Densitometria kockore (DEXA)

Densitometria kockore është një ekzaminim që shërben për të vlerësuar osteoporozën, situatë që zhvillohet në terren të humbjes së kalçiumit duke e bërë kockën më të hollë dhe më të brishtë. Kjo situatë prek kryesisht femrat në post-menopauzë, por në një përqindje më të ulët, mund të prekë edhe meshkujt. Raporti femra/meshkuj përsa i përket osteoporozës është 4/1.

Faktorët e rrezikut që ndikojnë në osteoporozë janë:

• Seksi (femrat)

• Mosha (rreziku rritet mbi moshën 50)

• Reduktimi i hormoneve (estrogjeni kryesisht)

• Histori familjare për osteoporozë

• Defiçite ushqimore (mungesë e e vitaminës D dhe kalçiumit)

• Mungesë e aktivitetit fizik, jetë sendentare apo qëndrime të zgjatura, të detyruara, në shtrat

• Duhanpirja, konsumi i tepruar i mishit, alkoolit dhe kafeinës

• Përdorimi për një kohë të gjatë i medikamenteve si kortizoli.

Imazheria pediatrike në spitalin Hygeia si specialitet i veçantë i dedikohet diagnostikimit të pacientëve pediatrikë, duke filluar nga të porsalindurit, foshnjat dhe fëmijët e të gjitha moshave deri në 16 vjeç.

Në këtë shërbim ofrohen të gjitha metodat e diagnostikës imazherike për fëmijët që kanë nevojë të diagnostikohen, si dhe për pacientët e hospitalizuar në shërbimin e pediatrisë dhe neonatologjisë të spitalit Hygeia. Stafi i Imazherisë pediatrike bashkëpunon ngushtë me stafin e mjekëve pediatër, kirurgë pediatër, neonatologë dhe nënspecialitet pediatrike. Qëllimi i këtij shërbbimi është dhënia e shërbimeve në diagnostikën imazherike si dhe kujdesi për pacientët fëmijë dhe familjet e tyre. Për fëmijët ofrohen të gjitha metodat diagnostike bashkëkohore si Ekografia, Radiologjia diagnostike, Skaneri dhe Rezonanca magnetike, duke patur prioritet ne diagnostikën e fëmijëve pa ekspozim ose me ekspozim minimal ndaj rrezatimit. Në rastet kur një fëmijë duhet të kryejë një shërbim imazherik prindërit duhet të jenë të qetë dhe të sigurtë, pasi fëmija i tyre është në duar të sigurta. Në Shërbimin e Imazherisë Pediatrike Hygeia këto shërbime ofrohen nga një mjeke e kualifikuar dhe me eksperiencë shumë vjeçare në këtrë fushë.

Ne projektojmë egzaminimin në përputhje me nevojat e çdo fëmije. Aparaturat janë të programuara me programe të veçanta për fëmijët e moshave të ndryshme. Në egzaminimet radiologjike vëmendje kryesore i kushtohet të mbajtjes së dozës së rrezatimit në nivele sa më të ulta të jetë e mundur. Nisur nga specifikat që ka ky shërbim stafi ynë janë të kualifikuar në ofrimin e shërbimeve të tilla duke treguar kujdes maksimal për ti qetësuar dhe akomoduar fëmijët me qëllim kryerjen e shërbimeve në kushte sa më komode të mundshme dhe për një rezultat sa më efektiv.

Ekografia Pediatrike

Egzaminimi që përdoret gjerësisht është Ekografia, e cila i përshtatet në mënyrë ideale fëmijëve, duke filluar nga bebet dhe deri tek adoleshentët. Ky egzaminim është prioritar në pediatri dhe ofrohet gjerësisht në spitalin tonë.
Ekografia nuk ka rrezatim si dhe asnjë efekt biologjik të dëmshëm në rritjen e fëmijës, pa efekte anësore dhe nuk ka nevojitet aplikimi i qetësuesve për realizimin e saj..
Ekografia është vecanërisht e rekomandueshme si ekzaminim te fëmijët në rastet e dhimbjeve të: barkut, pelvike,skrotale, dhe artikulare, si dhe për refluksin gastro/ezofageal.
Si metodë diagnostike ajo ka vlerë në vlerësimin e trurit, shtyllës kurrizore dhe artikulacioneve koksofemorale tek bebet.
Është metoda më e mirë për vlerësimin e veshkave si dhe shumë anomalive të lindura në organe dhe indet e buta,
Eko e kokës dhe ajo koksofemorale është metoda më e mirë për depistimin e të porsalindurve dhe neonatevë.
Në Spitalin Hygeia Tiranë kemi eksperiencë unike në rang kombëtar për depistimin e Luksacionit koksofemoral ose Displazisë Zhvillimore koksofemorale. Të gjithë bebet e lindur në spitalin Hygeia i nënshtrohen këtij egzaminmi në moshën 6-8 javë.
Diagnostikimi në kohë i kësaj anomalie dhe trajtimi i thjeshtë jo invaziv shmang pasojat e mëdha dhe invalididetin e mëvonshëm të pacientit.
Diagnostikimi i shpejtë dhe komod i fëmijës ndihmon në korrigjimin kirurgjikal të mjaft anomalive, të cilat në rast mosdiagnostikimi në kohë, kanë kosto të lartë në shëndetin e mëvonshem të fëmijës.

Llojet e Ekografisë Pediatrike

  • Ekografia abdominale : Vlerëson organet e brendshme të barkut si: mëlçinë, rrugët e tëmthit, pankreasin. stomakun/pylorin, shpretkën, veshkat, enët kryesore të gjakut në bark, limfonodulat, zorrët, apendiksin, vezikën urinare, uterusin dhe ovaret tek vajzat.
  • Ekografia pelvike: Vlerëson vezikën urinare, uterusin dhe ovaret tek vajzat dhe prostatën tek meshkujt.
  • Ekografia e qafës: Vlerëson gjendrat Tyroide, Paratyroide dhe të pështymës, indet e butë të qafës dhe gjendrat limfatike.
  • Ekografia e kokës ose transfontanele: Sheh trurin dhe strukturat e tij ndërmjet fontanelës, për sa kohë ajo nuk është e mbyllur.
  • Egzaminimi me Eko-Dopler i enëve të mëdha të gjakut (që kalojnë nga qafa për të furnizuat me gjak trurin), i arterieve dhe venave të gjymtyrëve.
  • Ekografia e indeve të buta: Vlerëson indet e regionit të sqetullës, të limfonodulave regionale, të paretit torakal, të kofshës, të regioneve inguinale dhe muskujve.
  • Ekografia e artikulacioneve: Vlerëson artikulacionet koksofemorale për luksacion tek bebet dhe për likid te fëmijët, kryesisht të moshave të vogla që ankojne dhimbje të këmbës në ecje.
  • Ekografia e artikulacioneve dhe ajo dopler me ngjyra vlerëson shumë mirë ndryshimet reumatizmale të artikulacioneve të anësive te fëmijët
  • Ekografia e gjirit: Vlerëson ndryshimet në indet e buta të gjendrës së gjirit te vajzat e të gjitha moshave.
  • Ekografia e Aksilës: Vlerëson indet e buta dhe limfonodulat.
  • Ekografia e regjionit inguinal: Vlerëson hernien inguinale te djemtë dhe vajzat.
  • Ekografia Testikulare: Vlerëson testikujt tek djemtë e të gjitha moshave

Radiologjia Diagnostike & Fluoroskopia

Në egzaminimet me rreze X ( radiografi), të cilat përdoren kryesisht për mushkëritë, kockat si dhe pjsën e abdomenit (barkun), kujdes i veçantë i kushtohet rrezatimit sa më të pakët të fëmijëve.
Fëmijët nuk janë të rritur të vegjël; për këtë arsye aparaturat mjekësore duhet të jenë të përshtatshme për ekzaminimin sa më të mirë dhe me sa më pak efekte anësore për fëmijët.

Fluoroskopia në Pediatri
Fluoroskopia është teknikë imazherike e cila me ndihëm e rrezeve X arrin të perftohen imazhe në kohë reale të strukturave të brendshme të trupit.Kjo teknikë përdoret kryesisht për egzaminimin e ezofagut, stomakut, zorrës së hollë dhe zorrës së trashë te fëmijët.
Fluoroskopia është ekzaminim shumë i rëndësishem në pediatri për realizimin e Cistografisë miksionale, që shërben për vlerësimin e refluksit veziko-ureteral.

 

More Doctors From : Imazheria

Dr. Vladimir Titka

Dr. Vladimir Titka

Radiolog Nuklear
Dr. Ledio Bregu

Dr. Ledio Bregu

Onkolog, Radioterapeut